Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Zoje Jakaj - Adoleshenca

Adoleshenca në filtrin e dashurisë

600ALL

Lloji: Studim
Faqe: 120
Formati: 12 x 20 cm
ISBN: 978-99943-1-944-2

Kategoritë , .

Përshkrimi Librit

Adoleshenca, kjo moshë e brishtë, mosha e shpërthimeve, e tekave dhe dëshirave, që herë-herë shpërfaq dhunë të tmerrshme, do shumë punë dhe edukim rrënjësor nga e gjithë shoqëria, do një vëmendje të vazhdueshme e të përditshme nga trinomi: psikolog, mësues, prind. Një prind i përgjegjshëm nuk është i qetë kur fëmija hyn në moshën e adoleshencës, atë e shoqërojnë gjithnjë dilemat: Po e bëj detyrën e prindit mirë? A mos ndoshta jam fajtor për rebelimin e tij? A duhet të jem i ashpër apo i butë? Pse fëmija im ka rënie në mësime? A duhet t’ia pranoj një lidhje dashurie apo të bëj të paditurin? A jam bashkëkohor për të pranuar ecurinë e këtij brezi? A duhet të jem shok, prind i rreptë apo të zgjedh një të mesme të artë?…

Një adoleshent, me veprimet e tij shpesh sjell në familje tërmet, nga ata të fuqishmit, që nëse prindërit nuk e marrin situatën menjëherë në dorë, pasojat mund të jenë fatale për të dhe familjen. Përgjigjja e prindërve në këtë rast duhet të jetë: reagim me qetësi, vullnet, durim, konsultë me psikologë, mësues apo njerëzit tuaj më të afërt, të cilët të japin rrugëdalje pa trauma. Nëse një familje përballet me një adoleshent të dhunshëm, zgjidhja më e mirë është ta pranojnë të vërtetën me zë të lartë dhe të mos e mbulojnë thjesht me fraza të tilla, si: “Ti më fut frikën”, “Ti do që unë të kundërveproj”, “Ti do që prindërit e tu të bëhen edhe më të dhunshëm se ti” etj., pasi situata mund të agravohet në dëm të të dy palëve dhe vështirë të gjesh më zgjidhjen e duhur.

Jeta e një familjeje kur fëmija i tyre kalon në adoleshencë është shpesh mes stuhisë dhe rrebeshit po aq sa mes diellit dhe reve, sepse kjo moshë priret drejt karakterit negativ dhe pakënaqësisë nga të gjithë dhe gjithçka. Kjo është mosha e zhvillimit hormonal dhe fizik, e rritjes së vrullshme, e krizave dhe e energjisë së paparë, e çudirave, po aq sa e mrekullive të mëdha, e arsyetimit të paqëndrueshëm dhe emocioneve të papërmbajtura. Që hovi i moshës së tyre të mos ju marrë përpara, duhet të vendosni me këmbëngulje disa rregulla dhe piketa, pa rënë pre e ndjenjave që ushqen prindi për fëmijën, sepse kjo është mënyra më e mirë për të ndihmuar adoleshentin në rritje. Të gjithë krenohemi kur fëmija ose nxënësi ynë ka rezultate të shkëlqyera, na nderon gjithnjë, merr çmime të para, ka sjellje të përkryer, bëhet gjeni ose shkëlqen në çdo aspekt të jetës, por a jemi ne të fortë dhe në gjendje të përballojmë drama e ta rikthejmë në rrugë të mbarë një fëmijë në adoleshencë, i cili për shkak të një gabimi të moshës së tij ka braktisur shkollën e ka rënë pre e drogës, duhanit, alkoolit, e një shtatzënie të parakohshme apo dhe më keq, pre e prostitucionit?! Kjo është një nga sfidat e mëdha të shoqërisë, familjes dhe shkollës.

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Fragment nga libri


Ç’ka nevojë të dijë adoleshenti?

Unë dëshiroj t’ju flas në këtë libër për gjërat që besoj se janë thelbësore e që duhet t’ua bëjmë të ditur adoleshentëve, prindërve dhe mësuesve. Gjëja e parë që duhet të bëjnë është, të njohin dhe të zbulojnë minierat e arit të imagjinatës së tyre, e cila është e mrekullueshme dhe e kanë vetëm ata.

Ne të gjithë, duhet të kemi parasysh se një adoleshent mëson më tepër duke provuar vetë, sesa duke shfrytëzuar përvojën e të tjerëve, më shumë nëpërmjet kënaqësisë sesa nëpërmjet vuajtjes, më shumë falë përvojës sesa shpjegimeve, më shumë falë këshillave sesa urdhrave.

Po përpiqem t’ju imponoj disa receta dashurie dhe komunikimi paqësor me adoleshentët që të keni rezultate pozitive. Ata, ju siguroj, që mësojnë më tepër nëpërmjet dashurisë, durimit, zgjuarsisë, veprimit, pjesëmarrjes dhe aftësisë që keni ju për ta përkufizuar adoleshentin. E, kjo varet gjithnjë nëse ju dini ta trajtoni atë si të pavlerë apo flori, të mençur apo budalla, të ardhmen e tij të qartë apo të errët. Me pak fjalë, duhet t’ua themi adoleshentëve që kanë mundësi të zgjedhin ndërmjet suksesit dhe dështimit; po e le suksesin të të ikë nga duart, ke lënë të të ikë vetë jeta. Ka një vijë të hollë ndarëse midis të dyjave, ti lehtësoja me komunikimin dhe dashurinë tënde, që ai ta kuptojë në kohë thelbësoren e të prekë suksesin.

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Rreth autores

U diplomua në vitin 1990 në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, Instituti i Lartë Bujqësor, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Më pas vazhdoi studimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega biokimi, Shkodër. Në vitet në vazhdim kreu disa kurse kualifikimi dhe trajnimi në Tiranë dhe Romë. Në vitin 2013 fitoi gradën “Doktor i shkencave” në fushën e kirurgjisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Për herë të parë filloi punë si mësuese biologji-kimie në disa prej gjimnazeve të Tiranës, si edhe ushtroi detyrën e nëndrejtoreshës në një shkollë të mesme në Pukë. Ka drejtuar disa projekte në luftën kundër HIV-AIDS-it, SST-ve, drogës, duhanit, sëmundjeve ngjitëse etj.

Që prej vitit 2010 është pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega biologji gjenetike. Gjithashtu punon edhe si pedagoge e jashtme në Universitetin Kristal, Fakulteti i Shkencave Mjekësore. Është pjesëmarrëse në disa konferenca kombëtare e ndërkombëtare. Zoje Jakaj ka qenë pjesëmarrëse në disa aktivitete rinore, si: Rinfest Tirana, opinioniste te “BB1” në Top Chanel, anëtare jurie te “Star Academy” në televizionin “Klan”, “Netët e klipit shqiptar” në TVSH, “Miss Shqipëria” 2010, 2011, 2012 etj.

Prej vitit 2001 është presidente e Integrimit Rinor Shqiptar. Së shpejti, së bashku me dy bashkautorë të tjerë akademikë, do të botojë librin shkencor mbi biologjinë, fiziologjinë dhe fizioterapinë.

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Bëhuni i pari që vlerëson “Adoleshenca në filtrin e dashurisë”