Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Apokalipsi sipas Shen Tiranes - Zija Cela

Apokalipsi sipas Shën Tiranës

Author:

900ALL

Lloji: Roman
ISBN: 978-99943-1- 748 – 6
Formati: 13×20
Faqe: 456

Kategoritë , .

Përshkrimi Librit

Apokalipsi sipas Shën Tiranës

Për çdo teolog është e qartë se, në kuptimin metaforik, përgjigjja që Zoti i jep lutjes njerëzore është: Po, Jo ose Prit pak. Por për herë të parë kjo eksperiencë aq gjithëpërfshirëse vjen në faqet e një vepre, monumentale për nga përmbajtja dhe vlerat, si pasqyrim i një marrëdhënieje të tillë transhendente. Çdo lexues që deri më sot ka kërkuar një thellësi më të madhe vendimore nga Zoti, si dhe çdo lexues që me zell ka pritur veprën, e cila do t’i rikthente besimin te proza shqiptare, në këtë roman kanë rastin të shohin të përmbushur jo vetëm dëshirën e tyre, por njëkohësisht edhe vetveten. Po pohoj atë që shumëkush e fsheh, sepse me mua kështu ka ndodhur. Nga Zija Çela kam zbuluar së pari “Las Varrezas”, pastaj “SOS, një buzëqeshje” dhe vitin e kaluar “Goja e Botës”. Janë romane që ma kthyen besimin te letërsia dhe nisa t’i shkruaja letra shkrimtarit.

“Apokalipsi sipas Shën Tiranës” është zëri i shpirtit kërkues të autorit, por njëkohësisht një “J’accuse” dhe “Mea culpa” e tërë asaj që ka ndodhur e ndodh me shoqërinë dhe qenien njerëzore. Secili prej nesh mund t’i qaset pa frikë këtij romani, ndër më të sofistikuarit e autorit, duke ruajtur njëkohësisht deri në fund respektin e mesazhit që mbart. Për çdo lexues romani mbart një kuptim “ad hoc” dhe secilit do t’i shërbejë në një fushë të caktuar të jetës. Në njëfarë mënyre, mund të them se përmes tij lexuesit i garantohet marrja e një fryme mistike që do ta shoqërojë atë edhe shumë kohë pas leximit, apo në raste të caktuara edhe përjetimi suprem i një realiteti paralel. Por më së shumti, ajo çka për mua mund të quhet si përfitimi më i madh i lexuesit, është vetë subjekti, fshikullimi i fortë i egoizmit dhe hipokrizisë së njeriut, si dhe prekja e thellë emocionale që ngjall.

Struktura e romanit është një labirint i lëvizshëm, të cilin gjithkush mund ta eksplorojë në bazë të përvojave vetjake. Personazhet, ndonëse fiktivë, janë aq të përshtatur në realitetin ku jetojmë dhe lexuesi i kujdesshëm mund të arrijë të shohë, madje edhe të ndiejë, dy aureolat që i rrethojnë. Aureola e parë është në formë trekëndore dhe rrethon të gjallët. E dyta është ajo e vdekagjallëve, ose e barbarëve siç cilësohen ndryshe ata që janë ngritur së vdekurish. Kjo ka formën e një spiraleje dhe mbështjell qenien e secilit prej tyre. Unë mendoj se kjo aureolë përfaqëson njëkohësisht spiralen e pafund të tërë përjetimit human, kufirin ndarës mes dy botëve, si dhe atë ftohtësi që mbartin misteret e mistikës.  Por megjithatë ekziston një urë lidhëse, një njeri që qëndron mes dy botëve si një çelës magjik. Nëpërmjet këtij personazhi, nëpërmjet kuptimit unik të tij, autori u ka përgatitur lexuesve një mundësi për t’u bërë bashkëkrijues, bashkëpërjetues dhe bashkudhëtarë në një rrëfenjë të tillë madhështore, në një kulm të ri të këtij shkrimtari. Kjo vepër, e denjë për t’u konsideruar si një hap përfaqësues i letërsisë sonë drejt letërsisë së përbotshme bashkëkohore, është po ashtu një sfidë e intelektit shumë dimensional kundrejt dogmës së intelektit të njëkahshëm dhe përbën një tjetër gur shënjimi në udhëtimin epik të letërsisë. Kjo vepër është dëshmi e përqasjes së një letërsie të re, pa kufij, pa pengesa dhe me një mision mbinjerëzor. “Apokalipsi” i Zija Çelës është një dëshmi e kthimit të letërsisë në frymëzimin burimor, zanafillor, hyjnor dhe, në kuptimin e simbolit, përbën një historik të të gjithë ekzistencës njerëzore.

Gjithë sa thashë buron nga vepra, ndërsa komponentët e saj shërbejnë si dëshmi të shumanëshme, dëshmi e frymëzimit, e talentit të autorit, e përkatësisë unike në teknikat e të shkruarit, dëshmi e erudicionit, etj. Shkurt, ky roman është i të gjithë neve. Aftësia autoriale e përcjelljes së veprës mjeshtërisht, shenjtërisht dhe lumturisht për tek lexuesi i stërmunduar i realitetit tonë, përbën një prej risive më të rëndësishme që Zija Çela sjell. Kjo e ka çuar atë, po guxoj të them, në një rinovim të vetë zhanrit. Rrallë ndeshim në një roman një shkrirje të autorit me veprën në më shumë se një dimension. Ca më rrallë ndeshim një proces të tillë alkimik, ku autori të ndërthuret me elementët e veprës dhe, ç’është më e rëndësishmja, ta shndërrojë veten në frymë, në ide, në energji që e përcjellin lexuesin edhe pasi e ka mbyllur librin dhe është duke injektuar në qenien e vet pjesë nga gjenialiteti dhe bukuritë tronditëse të veprës. E ca më tepër të rritet admirimi kur vëren se ky dorëzim, ky vetëflijim i autorit nëpër tekst, mbart në vetvete një proces mistik, që magjishëm arrin të shndërrojë në njerëz realë e të prekshëm shumë personazhe. Nuk është një ndërrim vendesh mes autorit, veprës dhe personazheve, por ma do mendja një shembull i kuptimit të misionit, arsyes dhe profesionit që më në fund, më në fund, kemi fatin që ta shohim të ndodhë në letërsinë shqipe.

                                                                                                      Juli QINETI

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Një triptik për Zija Çelën

1
Shkrimtarin Zija Çela, që nga fillimet e krijimtarisë së tij, e ka tërhequr deri në magjepsje një ëndërr: ta zgjojë dhe ta mbajë përfundimisht të zgjuar gjysmën e mirë të njeriut. Ylli i tij krijues, i ngjizur me këtë ngasje, është në kërkim të ethshëm të kësaj gjysme. Tërë opusi i romaneve të tij, i veçantë e madhor, gjakon këtë mrekulli që, në çdo variant dhe gjetje origjinale, shfaqet e ndalon diku. Por gjithsesi për të ardhur rishtazi, dhe gjithnjë ndryshe. Zija Çela është mjeshtër i madh në trillin e variacioneve.
Në krahët e këtij vizioni të qëndrueshëm dhe gjithë larmi, strukturat narrative qëllimisht janë të shkrifëta, të tërheqin pa sforcime, të joshin drejt sferave me hapësirë sa realiste, aq dhe fantastike e të magjishme. Ja përse, në thurjen e mjediseve, të atmosferës, të ngjarjeve dhe të personazheve, autori shkëlqen.
Hapësirat metaforike në romanet e Zija Çelës i kanë në vetvete dhe me vete të gjitha, të gjitha ato për të cilat ka nevojë një univers njerëzor, që nga ngulmimet urbane dhe deri te qytetarët e shtresave të ndryshme, pushtetarët më të lartë, artistët, nëpunësit, berberët, shkencëtarët, të çmendurit e policët, lypsarët e hajdutët, tradhtarët e heronjtë, trafikantët, laviret, varrmihësit e vajtojcat… Ne të gjithë, potencialisht lexues të autorit, jemi njëkohësisht personazhe të tij. E prandaj mund të identifikohesh qartë, sepse ne të gjithë jemi fifaras (“Goja e Botës”), balbonas (“SOS, një buzëqeshje”), jemi nga Barbaria (“Gjysma e Xhokondës”), nga Kukunami (“Las Varrezas”) apo nga Tirana (“Apokalipsi”).
Brenda veprës së shkrimtarit gjejmë të pleksura tërë fushat e jetës dhe të ekzistencës njerëzore. Aty janë përditshmëria, ëndrrat, historia, mitet, dashuria, urrejtja, është filozofia e psikologjia mbarëshqiptare, janë bizneset, intrigat, zakonet, shpirti, lindja, vdekja, ringjallja, vrasja, është Zoti, shteti, feja, qielli, Hadi. Është estetika përfshirëse e universit… Pra është një botë që shpaloset shkallë-shkallë, duke u shtrirë përmes një epike narrative që të rrëmben pa e hetuar. Është bota njerëzore, monumentalizuar në universin shekspirian, është nderi, dija dhe padija, është shkolla, besimi dhe zhgënjmi, është dhuna, mizoria dhe tirania, është hetimi, gjykimi, dënimi dhe mosdënimi, është brutaliteti, falsiteti dhe gjuha e urrejtjes së politikanëve, aq buçitëse në hapësirën tonë. Dhe, për ankthin e përgjithshëm të njerëzimit, edhe psherëtima: “Zot, rri me ne se është kah erret!”
Është njëra nga fjalitë më kyçe, një kod në rrëfimet e përsosura romanore të Çelës, vetë brenga dhe shqetësimi i tij krijues. E megjithatë, në brendinë e vet, fiksioni narrativ i autorit mbart fare natyrshëm praninë e një fryme që, spontanisht e në heshtje, të rri pranë si një shpëtimtar, duke u shfaqur personazh konkret dhe i shenjtë njëherësh, për të sjellë dhe për të përhapur besim e mirësi, jetë përballë vdekjes dhe buzëqeshje përballë urrejtjes. Aq më tepër që kjo ndjenjë nuk vibron vetëm nga një vatër narrative, as vetëm nga një personazh apo bëmë e izoluar, por vjen si frymë e pranishme fuqishëm, si mundësi shpëtimi.
Kjo frymë e ky vetëkërkim dramatik janë kuptimi i botës së shqetësuar në krijimtarinë e këtij shkrimtari të madh të letrave tona dhe, si një kumt i fortë, vijnë mu në çastin kur po erret…

                                                                                                   Ali ALIU

2
Zija Çela identifikohet si shkrimtar përfaqësues i letërsisë shqipe në kohën kur në mileun shqiptar ndodhin ristrukturime e përmbysje të mëdha. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të asaj periudhe, të cilët nuk arrijnë t’i kapin këto rrjedha, me Zija Çelën do të ndodhë një fenomen tjetër: ai do të jetë në krye të shkrimtarëve shqiptarë që, në pikëpamje letrare, nuk e traumatizon rënia e një sistemi vlerash dhe ngritja e një sistemi të ri vlerash. Ai do të jetë në krye të radhës së shkrimtarëve shqiptarë, i cili rënien e një shkolle e metode letrare, siç ishte realizmi socialist, nuk do ta përjetojë si çorientim. Përkundrazi. Përparësitë e braktisjes së kësaj shkolle dhe fuqizimin e pluralizmit të metodave e shkollave letrare, ai do ta materializojë me veprat e tij më të arrira, që domethënë se Zija Çela as në kohët më të liga nuk ishte rob i konventave dhe kufizimeve.
Me këtë prirje, shumë vjet më parë, e kam lexuar romanin e tij “Mali i tejdukshëm” (1989) dhe nga kjo distancë kohore, e them me bindje se ky roman është paralajmërim i hershëm nëse jo i rënies së realizmit socialist dhe të sistemit që e mbante atë, atëherë gjithsesi një shenjë paralajmëruese e “liberalizimit” të tij, për t’u shprehur kështu. Ndryshe as që mund të ndodhte, sepse sikundër do të vërtetohet më vonë, shkrimtarëve si Zija Çela nuk u pritet dot një kostum për të gjitha stinët. Shikuar nga ky këndvështrim, Zija Çela është shkrimtar që materializon në letërsi ndryshimet substanciale në botën shqiptare.
Në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur Zija Çelën e gjejmë ta ketë shpallur programin e tij letrar, ai do të realizojë ciklin e parë të romaneve të rëndësishme “Gjaku i dallëndyshes” (1990), “Gjysma e Xhokondës” (1992) dhe “Banketi i hijeve” (1994), me të cilët do të bëhet model i frymës së re në prozën shqipe. Por në çfarë realisht konsiston ky model? Në përvetësimin kreativ e selektiv njëkohësisht të pluralizmit të shkollave letrare, duke ruajtur drejtpeshimin ndërmjet zërit të vet origjinal e kërkesave në rritje të lexuesit shqiptar. Ky lexues, pra lexuesi shqiptar, tashmë ka mundësi të lexojë e të absorbojë krejt atë letërsi që dikur ishte e ndaluar. Ka mundësi të bëjë krahasime, të kultivojë shijen, të pasurojë dijet letrare. Zija Çela bëhet autor që letërsinë e tij e vendos në raporte komunikimi e konkurrence me prozën bashkëkohore kontemporane. Lexuesi shqiptar, i cili tani mund të lexojë Markesin, Sabaton, Kunderën, Buzatin, Kalvinon, Grasin, njësoj si Xhojsin, Prustin, Sartrin, Kamynë, mund të lexojë më me ëndje edhe Zija Çelën, sepse, nga njëra anë, ai sublimon arritjet e mëdha të prozës së shekullit XX në ndërtimin e fakturës tekstore dhe të prosedeut, ndërsa, nga ana tjetër, me tematikën e veprave të tij qëndron afër preokupimeve të botës shqiptare, duke u bërë jehonë pësimeve e dilemave të saj.
Pas botimit të “Banketi i hijeve”, personalisht kisha një dilemë: çfarë rruge do të merrte tani krijimtaria e Zija Çelës, sepse mund të bëhej fjalë për një cikël të mbyllur veprash, për një ezaurim shterues të një mënyre shkrimi dhe të një tematike letrare. Ai mund të rrinte aty ku ishte, t’i jepte lexuesit shqiptar vepra të arrira, t’i siguronte vetes një komoditet të të qëndruarit horizontal dhe të vazhdonte të ishte i lavdëruar nga kritika, sepse si autor ai tashmë e kishte dëshmuar një nivel të lakmueshëm të kultivimit të prozës. Këtë nivel ai vazhdonte ta dëshmonte edhe me veprat e reja. Por, në vend të kësaj, Zija Çela bën një lëvizje befasuese: rimerr në dorë përvojën dhe potencialin krijues, e rigjallëron kreativitetin dhe i futet një aventure të re, shkruan romanin “Las Varrezas” (2005). Me këtë vepër Zija Çela u kthehet majave të letërsisë, atje ku nuk mund të arrijnë e të shkelin shumë autorë. Me këtë roman bën të ditur se ka ende potencial të pashfrytëzuar, se ka ide, ka forcë rrëfyese, se është një shkrimtar që përvojën e krijuar e rimodelon dhe i jep asaj impulse të reja. “Las Varrezas” është sublimim i arritjeve dhe njëkohësisht fillim i ri: shkrimtari, pa harruar se kush është dhe nga ka ardhur deri aty, do të niset drejt një rruge të domosdoshme, pa kthim prapa, që lexuesin shqiptar ta përballë me ide të mëdha, me ide universale, të cilat nuk është se janë të huajtura nga gjezdisjet leximore, por burojnë nga qenia e tij dhe nga substrati i tij etnopsikologjik. Ideja e sakrificës për njeriun këtu njeh përmasat universale, gjigante, të pakrahasueshme.
Ndërkohë, fati biografik i autorit do të ndjekë një vijë tjetër, po aq mistike në esencën e saj, por të pamëshirshme në raport me ligjet e jetës. Them mistike, sepse një humanizëm dhe një altruizëm të këtillë, një vuajtje për njeriun dhe për njerëzimin në përgjithësi, që e manifeston autori në krejt veprën e tij, do të duhej të shpërblehej në mënyrë pragmatike me një lumturi të kësobotshme. Mirëpo nuk ndodh kështu, sepse ligjet e proveniencës janë të tjera: Zoti u shkakton vuajtje atyre që i do më së shumti. Zija Çela humb djalin, Dritanin, në moshën e tij më të mirë, një përkthyes i shkëlqyer, një inkarnim i jashtëzakonshëm i fisnikërisë dhe i virtyteve më të larta njerëzore. Kjo rrethanë mund të bënte që Zija Çela të jepte shenja luhatjeje, të zhgënjehej, të shfrynte mllef ndaj fatit, ndaj njeriut, ndaj botës, ndaj proveniencës, ndaj çdo gjëje. Por ai, pikërisht siç ndodh në librat e shenjtë, gjithë këtë vuajtje dhe pësim e kthen në dashuri.
Libri “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” (2007) e dëshmon pikërisht këtë. Kur mund të pritej krejt ndryshe, ai shkroi një libër monumental për jetën, një roman autobiografik nga fjalia e parë dhe deri në pikën që ia vuri në fund,. Ndërkohë që romani “SOS, një buzëqeshje” (2009) është përgjigjja më e jashtëzakonshme, e pashembullt, e pangjashme që një shkrimtar mund t’u japë sfidave dhe pësimeve të jetës. “SOS” është njëra ndër majat më të larta të prozës sonë. Rrëfim metaforik, shprehje e kondensuar, lehtësi gati fluturuese e shkrimit romanor, leksik e frazeologji vërshuese, kompozicion i sunduar me gjeturi dhe siguri të madhe, këto janë vetëm disa nga komponentët që krijojnë vlerën e këtij romani dhe që leximin e tij e bëjnë një kënaqësi estetike të dorës së parë. Me një fjalë, me këtë vepër Zija Çela arrinte përsosjen, ndërsa paskëtaj i mbetej vetëm ta verifikonte atë.
Dhe verifikimi nuk vonon, në krye të vitit kemi në dorë romanin e ri “Goja e Botës” (2010), një vepër e shkëlqyer. Është një gjetje e jashtëzakonshme dhe unë jam mrekulluar jo vetëm me gjetjen, por edhe me mënyrën se si autori e ka trajtuar e shtjelluar, duke i dhënë një formë inovative e solide, një kompozicion ku gërshetohet në harmoni narracioni romansor me elemente të dramës. Gjatë leximit e përparimit të subjektit, zgjerohet shkallë-shkallë edhe këndvështrimi, respektivisht shumohen këndvështrimet e pasurohet tabloja. Vendi dhe ambienti metaforik-simbolik funksionon për mrekulli, sepse tashmë autori dëshmohet një mjeshtër i pashoq në ndërtimin e konfiguracioneve të këtilla metaforike.
Pikërisht kur pandehnim se shkrimtari mbylli një trilogji me tri romane të mëdha të letërsisë shqipe, “Las Varrezas”, “SOS, një buzëqeshje” dhe “Goja e Botës”, ja ku kemi një tetralogji me “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”. I mbindërtuar mbi një realitet që autori e njeh fort mirë, në këtë “Apokalips” i bëhet gjëma Tiranës njerëzore, Tiranës intelektuale, Tiranës politike, Tiranës mikroborgjeze, Tiranës provinciale dhe hipokrite. Dhe përkundër kijametit vepra nuk ngjall ndjenjë refuzimi, përkundrazi, sepse të vërtetat e një shoqërie vijnë si të vërteta universale.
Sesi do të vazhdojë më tej autori kjo nuk dihet, por për diçka jam i sigurt: Zija Çela ka ndërtuar tashmë një sagë shqiptare krejtësisht të veçantë dhe të papërsëritshme.
Zija Çela është nga shkrimtarët e paktë te ne që ka arritur të krijojë autorësi, çka do të thotë se vepra e tij i ka shenjat e njohjes, ka emblemën e saj. Për të arritur në këtë pikë, kur shkrimtari krijon një opus letrar përfaqësues, Zija Çelës i është dashur të identifikojë dhe të konsolidojë rrethin tematik të veprave të tij, të identifikojë postulatet e veçanta autoriale, të jetë vetja e tij dhe të mos i ngjajë askujt.

                                                                                                   Mehmet KRAJA

3
Kur Zija Çela botoi “Goja e Botës” (2010), shumë nga lexuesit por dhe studiesit e tij patën menduar se ky roman ishte mbyllja e trilogjisë që kishte filluar me “Las Varrezas” (2005) dhe kishte vazhduar me “SOS, një buzëqeshje” (2009). Romani i ri i shkrimtarit na tregon se sa të gabuar paskemi qenë.
“Apokalkipsi sipas Shën Tiranës”, me titullin alternativ “Kthimi i barbarëve”, është vazhdim i natyrshëm i romaneve të mëparshme, por një vazhdim i kundërt me atë linear. Autorin e shohim vazhdimisht teksa ngjitet mundimshëm, e shohim t’u afrohet honeve të frikshme, e shohim të zbresë tek të vdekurit për t’i sjellë ndër të gjallët, ose tek ata që besojnë se janë të gjallët. Me një fjalë, e shohim teksa guxon si rrallë ndonjë shkrimtar tjetër. Në fiksionin narrativ autori është kokëkrisur. Veçse guximin dhe kokëkrisjen artistike të Zija Çelës e kemi parë edhe në tri romanet e përmendura. Madje, mund të sillnim edhe mjete shprehëse të fiksionit në këtë roman që i gjejmë të familjarizuara me tre paraardhësit. Atëherë kemi të bëjmë me një tetralogji?
Më shumë se me tetralogji, mendoj se kemi të bëjmë me një rrjedhje të llavës krijuese, që është e vështirë ta parashikosh se kur do të ndalet. Më shumë se tetralogji, është krijimtaria unike e shkrimtarit Zija Çela ajo që i bashkon jo vetëm këto romane, por bashkë edhe gjithçka tjetër që ka shkruar më parë ky autor.
Në kuptimin e figurshëm, “Apokalipsi” fillon me forcën goditëse të ortekut. Një vdekje e rëndomtë (atak i parashikuar në zemër) brenda një nate ndiqet fatalisht nga vdekje të tjera, këto përsëri nga të tjera, e kështu deri në përmasat e katastrofës, që ngre Tiranën më këmbë. Përgjatë rrokullisjes marramendëse të ortekut, shfaqet popullata e pafundme e personazheve dhe, në krijimin polifonik të personazheve, Zija Çela është më tepër se kurrë në ujërat e veta. Por në logjikën e perceptimit të ortekut, që përcakton dhe ritmin gjuhësor të romanit, na shfaqet një paradoks: orteku fiktiv bie (shkon) nga poshtë lart dhe jo nga lart poshtë. Nuk kemi të bëjmë me një zbritje, por me ngjitje. Plotmëria, ngjarjet, intensiteti emocional, karakteret, çdo gjë është në ngjitje, aq sa paralajmërojnë një shpërthim… Dhe ja ku vjen edhe shpërthimi, një shpërthim simbolik e delikat, sa i beftë aq edhe i kuptueshëm, shpërthimi në stërkala i një zemre. Ironikisht nuk plas zemra e ndonjë personazhi, por e vetë autorit. Këtu edhe klimaksi narrativ, simbolik dhe emocional arrin kulmin: autori është bërë vetë personazh i romanit, madje i vetmi personazh që e pëson. Zija Çela ndjek në këtë finale një ecje të kundërt me traditën letrare, ku autori vetëpërkëdhelet si demiurg i veprës, duke dalë mbi karakteret që ka krijuar. Tradita letrare zakonisht ndjek rregullin që autori të na çojë te vepra e tij. Në “Apokalipsin sipas Shën Tiranës” ky rregull është kthyer përmbys: është vepra që na çon tek autori i saj.
Si në romanet pararendëse të shkrimtarit, koha është e përjetshme, pa fillim dhe pa fund. Ngjarjet në librat e autorit mund të ndodhin Kurdoherë. Dhe kjo u jep romaneve të tij një dimension të përtejshëm e të përjetshëm. Si letërsia e vërtetë. Por ashtu siç nuk mund të gjesh një datë të ngjarjeve në fiksionin narrativ të Zija Çelës, po ashtu nuk mund të gjesh një datë të përcaktuar se kur u shkrua romani i fundit. Mos i “besoni” autorit që thotë se e shkroi në vitin 2011. Kjo është pjesë e fiction-it, pjesë e trillimit narrativ, e marifetit artistik. Për nga kronologjia “Apokalipsi” mund të jetë romani që është shkruar i pari dhe “Las Varrezas” i fundit, siç mund ta ndryshojë kronologjinë “Goja e Botës”, ndërsa “SOS, një buzëqeshje” mund të jetë romani që pritet të shkruhet.
Prandaj, edhe kësaj here Zija Çela provon se letërsia e madhe i shpëton tiranisë së kohës. Kohës kalendarike. Por jo kohës ku rrinë së bashku veprat më të mira të letërsisë e të krijimtarisë shpirtërore. Dhe ku unë besoj se krijimtaria e Zija Çelës ka marrë statusin legjitim të banimit të përjetshëm.

                                                                                                        Rudolf MARKU

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Bëhuni i pari që vlerëson “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”