Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Zija Cela - Arkipelagu spiritus

Arkipelagu Spiritus

Author:

1,000ALL

Gjinia: Roman
Faqe: 572
Formati: 13 x 20 cm
ISBN: 978-99943-1-984-8

Kategoritë , .

Përshkrimi Librit

Zija Çela, si një mjeshtër i rrëfimit, me vizion e bindje të qarta të raporteve të njeriut me njeriun, të njeriut me jetën dhe me botën, nuk resht së luftuari kurrë të keqen te njeriu dhe rreth tij; nuk resht së ëndërruari dhe besuari në një botë më të mirë. Të rrëmben estetika e të rrëfyerit, prandaj lexuesi shqiptar, ashtu si  lexon Markesin, Sabaton, Buzatin, njësoj si Xhojsin, Prustin, Sartrin, Kamynë, mund të lexojë më me ëndje romanin e tij të ri “Arkipelagu Spiritus”.


“Ka në këtë roman edhe një velierë. Por, si në veprat e mëparshme, Zija Çela e komandon ‘anijen’ e prozës së vet për ta dërguar larg, përmes një bote sa reale aq imagjinare. Nuk e ka të vështirë, sepse udhëton në ujërat e vetë shkrimtarit. Dhe vetëm pasi kemi mbërritur në Arkipelag si lexues kureshtarë, shohim befas se udhëtimi ynë paska qenë një iluzion, se gjatë gjithë leximit paskemi qarkuar veten tonë, madje pjesën më të panjohur, që është shpirti i qytetit ku jetojmë. Ç’marrëdhënie ka ai me Shpirtin e Botës, çfarë merr por sidomos sa i jep atij? Përmes një rrëfimi magjik, plot linja jetësore, disa pyetje marrin përgjigje alternative, ndërsa mjaft të tjera mbeten të hapura.
Romani mbaron me një prolog faustian; ajo që është prolog te Fausti, këtu është epilog. Ndryshe çfarë ndodh te Gëte, Fausti i Çelës është i dënuar me epilogun e tragjedisë së vet, pa pasur shpresën e zhvillimit të mëtejshëm të ngjarjeve. Dhe të mendosh se libri që kemi në duar, ndoshta është vetë epilogu i një cikli romanor që, siç është cilësuar nga kritika, e bën sagën shqiptare të Zija Çelës krejt të veçantë, të papërsëritshme dhe universale njëkohësisht.”

 Rudolf Marku

Londër, 2014


“Cili është çasti, cili është gjykimi, cila ndjenja, ndjesia, aroma, nuanca, cili është vizllimi, marramendja dhe, në fund, cila është kthjelltësia që përfshin njeriun e shkrimit dhe i thotë se tashmë, në jetën e tij, ka kapërcyer një prag të çmuar e të shtrenjtë, prej të cilit nuk ka më kthim pas? Misioni i tij që prej këtij çasti është i ri dhe i patjetërsueshëm: të shkruajë dhe ta lexojnë, dhe jeta e tij pulson me këtë ritëm deri në fund… Në këtë kapërcim pragjesh Zija Çela ribëhet për çdo herë shkrimtar, ripohon çastin e vet mistik, ndërsa ne si lexues përjetojmë mistikën tonë të leximit.”

Persida Asllani

Revista “Letra”, 2012

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Fragment nga libri


Me zgjidhjen e problemit të bankës, Bestar Kalari e ktheu tërë vëmendjen nga Spiritus. Ai s’kishte bërë ndryshime në rregullore dhe përgjithësisht nëpunësit e filialit i qëndronin besnikë. Si në të shkuarën, ndoshta vëzhgohej nga komisionerë ndërkombëtarë që, duke qarkulluar gjithandej nëpër botë nën emra dhe profesione të rreme, i raportonin qendrës së institutit opinionet e tyre. Por megjithëse kishte pritur, deri atëherë nuk kishte ardhur për të ndonjë vërejtje e rëndë.

Kjo e shtynte në dy alternativa: Ose ekzistenca e komisionerëve ishte një legjendë urbane, ose sjellja e mjaft drejtorëve të filialeve analoge, ballafaquar me sjelljen e tij, ishte ku e ku më e qortueshme. Qendra vazhdonte ta paguante rregullisht dhe, në nivelin që i takonte, ta informonte po aq rregullisht.

Një ditë, me informacionet e fundit në ekranin e kompjuterit, teksa pa se e verdha pulsante e një qyteti ishte kthyer përfundimisht në të kuqe, aq vrullshëm e shtyu karrigen me rrota për t’u ngritur, sa desh e përmbysi. Qyteti nuk ishte i vendit të tij, i përkiste një populli tjetër, por prej kohësh ia kishte ndjekur zvetënimin shpirtëror. Kur doli në ballkon, pa pritur të pikaste ndonjë të njohur, e dha lajmin në tym:

“Vdiq, vdiq!”

“Lindi, lindi!”, iu gjegj dikush.

Zëri iu duk disi i njohur, por për ta përcaktuar nga vinte, përsëriti:

“Vdiq pra, vdiq!”

“Lindi pra, lindi!”, ngulmoi tjetri duke u afruar nga trotuari përballë.

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Bëhuni i pari që vlerëson “Arkipelagu Spiritus”