Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Jeta, kjo mrekulli pa vlerë

Author:

700ALL

Gjinia: Poezi
Faqe: 104
Formati: 14 x 20,5 cm

Përshkrimi Librit

Arben Shehi, me profesion arkitekt, por që nuk heq dorë kurrë nga letërsia dhe artet, që mbeten pasionet e tij të vazhdueshme, sjell dy libra, njëri ribotim, “Kohë për askund”, dhe tjetri krejt i ri, “Jeta, kjo mrekulli pa vlerë”. Poezitë e tij janë thellësisht lirike, tamam si një pasqyrë e vogël e vetë poetit. Ai nuk krijon një gjuhë të re (sepse atë nuk do ta kuptonte askush), por krijoni një gjuhë që vë në sinkroni të ngushtë krijuesin me lexuesin.

Kritiku Agron Gjekmarkaj e cilëson poezinë e tij dyfish iluzive. Ajo ka një transparencë formale, por është vetëm një cipë e hollë marramendëse, ku gjithsecili mund të shohë diçka, por jo gjithçka. Kështu merr jetë interpretimi personal dhe bashkautorësia, koncept i vonë, i dobishëm për poetët dhe lexuesit. Modeli i lexuesit bodlerian, si bashkudhëtar i autorit në aventurën poetike, ku lexuesi nuk deshifron  figurën poetike, por rikrijon motërzimin e saj, mund të merret në konsideratë në këtë qasje. Regjistrat gjuhësore funksionojnë në mënyrë dinamike dhe të errët njëkohësisht, duke u alternuar nga gjuha e përditshme, tek ajo më e rafinuara për të rrëshqitur jo rrallë në rrathët e mistershëm të ekspresionizmit. Kondensimi gjuhësor arrin lartësi shpërthyese, apo transformime që i ngjajnë  një fryme tragjike, një zgafelle të dhimbjes, një zëri të qashtër që nuk e ka humbur  besimin te fjala dhe rrëfimi, si akte çliruese, impenjuese dhe emancipuese. Nga bashkëjetesa e këtyre regjistrave formësohet stili, i cili është elementi bazë i identitetit poetik.

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Rreth autorit:

Arben Shehi lindi në Shkodër në shtator të vitit 1954, në një prej familjeve qytetare më në zë, me tradita të spikatura intelektuale dhe shoqërore.

Prirjet e hershme letrare i përvijojnë një profil artistik.

Në vitet 1972-1977 studioi për arkitekturë në Tiranë, dhe që nga viti 1979-1992 iu kushtua projektimit arkitektonik dhe angazhimit akademik si lektor korrespondent në Fakultetin e Arkitekturës (1984-1993).

Në vitet 1993-2000 drejtoi Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë dhe Tiranës, e më pas disa organizata për sistemet e cilësisë dhe të pronësisë intelektuale. Është autor i një seri shkrimesh e qëndrimesh estetike për arkitekturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm në përgjithësi.

Nga viti 2009-2012 ka qenë këshilltar i Presidentit të Republikës për zhvillimin urban e mjedisin.

Ka botuar përmbledhjet poetike “Pika e djersës” (1981), “Rikthim drejt gjërave që i kam dashur” (1996), “Gjysma e heshtjes” (2001) dhe “Kohë për askund” (2009). Kjo përmbledhje është botuar edhe në Francë (Editions Baudelaire, 2011), në Itali (Edizioni Robin, 2012) dhe gjithashtu është në përgatitje botimi edhe në Gjermani.

Poezi të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës, si: anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, greqisht etj.

Gjithashtu ka botuar suksesshëm edhe romanet “Gryka e pusit” (Toena 2011) dhe “Viti i qenve” (Toena 2013).

Romani “Gryka e pusit”, tashmë i përkthyer në italisht, do të jetë së shpejti në qarkullim.

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Bëhuni i pari që vlerëson “Jeta, kjo mrekulli pa vlerë”