Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Let’s Dance – Roberta Mone Ndokaj

2,500ALL

ISBN: 978-9928-4271-0-6
Formati: 21×29.7
Faqe: 176

Kategoria .

Përshkrimi Librit

Alketa Vejsiu
Producente, prezantuese dhe sipërmarrëse

“Vallëzo lehtë se jeta ikën shpejt! Ngadalëso ritmin dhe gëzoju gjërave të bukura! Një ditë muzikën s’do ta dëgjosh më, se do të kesh shkuar diku tjetër, ku nëse ka këngë e vallëzim, është një mister!” – është kartolina që një mike më kish nisur në e-mail.
Nën atë frymëzim po lë të shkruara këto rreshta për Robertën që frymëzon trupat, mendjet dhe shpirtin e atyre që lëvizjen dhe kërcimin i kuptojnë si ajri që thithin.
Për njeriun që i mëson fëmijëve që në vitet e para të jetës, që vallëzimi është vetë pasioni dhe jeta.
Një urim për këtë libër që do të gdhendë ndër germa një pasion të përjetshëm, që këmbët e harrojnë kur nuk ecin më…
Ndërsa në libër gjithçka përjetësohet dhe bëhet e pavdekshme! Një libër që, sa herë të shfletohet, do bëjë muzikë dhe do urdhërojë këmbët të lëvizin! Që zemra të rrahë fort!

Amarda Toska
Prezantuese, sipërmarrëse e “Ami Event”

Nuk do ta kisha menduar që unë, si ish-nxënëse e Roberta Mones, të isha pjesë e rreshtave në librin e saj kushtuar baletit, por kjo gjë po më jep një kënaqësi të pamatë!
E kam njohur që në shkollën 8-vjeçare, si mësuese baleti asokohe, dhe që prej atyre viteve e deri më sot Robertën në mendjen time e kanë karakterizuar korrektësia e pashoqe dhe profesionalizmi. Më është dhënë mundësia të bashkëpunoj me Robertën e, pa dyshim, profesionalizmi ka qenë pika e fortë e saj.
Shumë miq e personazhe të njohur në fushat e tyre do të shkruajnë për punën e palodhur që Roberta ka skalitur ndër vite, por unë do ta veçoja edhe për marrëdhënien njerëzore aq të sinqertë dhe të dashur që ajo ndërton me miqtë dhe bashkëpunëtorët e saj. Të uroj të arrish gjithçka ke si objektiv në karrierën tënde, e dashur!

Adrola Dushi  dhe Adis Patushi
Miss Univers Albania 2012

Gjithkush në ditët më të rëndësishme të jetës përpiqet të përzgjedhë më të mirat dhe më të mirët. Ne, po ashtu, në ditën tonë më të rëndësishme, donim të jepnim më të mirën nga vetja: në radhë të parë, të kënaqeshim për veten tonë dhe, në radhë të dytë, të linim mbresa te të pranishmit e dasmës që ta ruanin këtë ngjarje si një kujtim i bukur. Bashkëpunimi me të talentuarën Roberta Mone ishte argëtim, kënaqësi dhe, mbi të gjitha, produkti për të nxjerrë në pah më të mirën tonë. Ju jemi sinqerisht mirënjohës për gatishmërinë dhe përkujdesjen që keni treguar ndaj nesh!

Blerina Arbana Tusha
Drejtore e Shkollës Kombëtare Koreografike

Me Robertën jam njohur që në vogëli dhe i përkasim një brezi ku dëshira, pasioni, puna, disiplina artistike dhe përgjegjshmëria profesionale na është kultivuar me aq dashuri, saqë nuk mund të ndodhë ndryshe. Kam kënaqësinë e veçantë të shpreh mendimet dhe sugjerimet e mia mbi librin e sjellë me aq përkushtim prej saj në tregun e gjerë të botimeve.
Vitet e jetës së saj i janë përkushtuar në mënyrë të veçantë baletit. Ajo vazhdon, edhe sot, të japë kontributin e saj të palodhur, me një përkushtim të pashoq në aspektin e edukimit dhe të mësimdhënies. Me punën si pedagoge dhe koreografe ka nxjerrë breza balerinësh të aftë për të debutuar në skena të mëdha jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij.
Te Roberta dominon një forcë e madhe menaxhuese, një teknikë profesionale për t’u admiruar, një pasion i veçantë për punën dhe profesionin, si dhe e aftë dhe këmbëngulëse për të përqafuar metodat e fundit bashkëkohore.
Vetë koha ka treguar se puna e palodhur e Robertës si pedagoge është kurorëzuar me finalizime të mrekullueshme të veprave të ndryshme të artit shqiptar dhe atij botëror.
Ajo respekton të menduarit ndryshe të studentëve, krijon marrëdhënie të shkëlqyera me ta, duke krijuar një klimë të ngrohtë dhe nxitëse, si në shkollë ashtu dhe jashtë saj. Gëzon respektin e studentëve, timin dhe të kolegëve të saj.

Dalina Buzi
Themeluese e “Anabel Media”

Në këtë mësymje të gjithçkaje “pop” dhe “trendy” në tregun e botimeve, e vlerësoj tej mase përpjekjen e Robertës për të kontribuar në trashëgiminë e një arti sa të bukur, aq edhe të nënvlerësuar vitet e fundit siç është baleti. Ndaj me gjithë qejf pranova që vajza ime, Lulu, atëherë 3 vjeçe, të ishte pjesë e këtij libri dhe me shumë dëshirë po pres që ajo të bëhet pjesë e klasave të baletit nën drejtimin e një profesoreshe të shkëlqyer si autorja.

Enada dhe Gerd Vaso
Koreografë dhe balerinë të parë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit

Roberta Mone, gjithmonë drejt më të mirës, profesionalizmit…

Edlira Nallbani
Mamaja e Jonës

Një ditë kisha dalë shëtitje pranë parkut me vajzën time, Jonën. Papritur m’u afrua një grua, e cila më pyeti nëse vajza ishte balerinë. Imazhi i parë që më erdhi në mendje ishte Jona e vogël që ecte në majë të gishtave. Gjithçka filloi rreth atij momenti. Dikush më sugjeroi qendrën “Let’s Dance” dhe, që në momentin që Jona filloi të merrte mësimet e para pranë kësaj qendre, që në fillim nisi si një pasion i thjeshtë, filloi të shndërrohet në një ëndërr. Për mua si prind nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të shoh ëndrrat e fëmijës tim të marrin krahë e të bëhen jetë. Kjo falë përkushtimit, këmbënguljes e durimit të jashtëzakonshëm të zysh Robertës. Rezultatet e kësaj pune janë të matshme e të prekshme. Këtë e dëshmon dhe prania e këtyre fëmijëve në shumë televizione e veprimtari artistike. Për ta mbyllur, një falënderim dhe mirënjohje e thellë shkon për zysh Robertën, për dashurinë që ka ndaj artit dhe profesionalizmin që përcjell, për shpirtin e pasionin që ajo vendos në çdo gjë që bën. Faleminderit!

Edita Frashëri Stojani
Mamaja e Esterit

 Te “Let’s Dance”, unë si prind dhe Esteri jemi ndier shumë mirë që në fillim. Tashmë janë bërë dy vjet që Esteri merr mësimet e baletit dhe asnjëherë nuk është mërzitur. Më pëlqen dhe fakti që Roberta i angazhon me spektakle që mbeten gjatë në memorien e tyre. Mendoj që Esterin, kur të rritet, do ta shoqërojnë shumë kujtime të këndshme. Përpos mësimit që atje marrin, edhe komunikimi është i shkëlqyer dhe të bën të ndihesh sikur njihemi prej vitesh. Jam e sigurt që kam bërë zgjedhjen e duhur!

Eda Lleshaj
Mamaja e Emilisë dhe Amelias

 Ndihem kaq e emocionuar dhe shumë e lumtur njëkohësisht që për herë të parë vajzat e mia, Emili dhe Amelia, bëhen pjesë e këtij libri kaq të mrekullueshëm. Pedagoge Roberta është nisma më e mirë për çdo balerinë, ajo jo vetëm që i mëson me kaq profesionalizëm këto vajza të vogla, por ju dhuron kaq shumë dashuri.
Roberta, të falënderoj shumë për të gjitha kënaqësitë dhe emocionet e bukura që ju dhuron vajzave tona!

Eranda Vreto
Mamaja e Melinës

 Një mbrëmje të ngrohtë fundvere po shëtisnim me Gjergjin dhe fëmijët në bulevardin kryesor. Sytë na shkuan te një tabelë me shkronja të mëdha: “Let’s Dance”. Nuk ngurruam dhe u futëm brenda. Ambienti ishte i këndshëm dhe të ftonte ëmbëlsisht në mjediset e tij. Gjithçka harmonizohej me talentin dhe durimin e znj. Roberta për të mësuar fëmijët.
Kështu nisën mësimet e para të vallëzimit të vajzës sonë, Melinës. Fillonin atje, te “Let’s Dance”, e vazhdonin në shtëpi. Të gjithë linim çdo gjë për të parë lëvizjet e reja që sapo kishte mësuar. Dashuria për baletin, që znj. Roberta i ushqeu vajzës sonë, vazhdon dhe sot në SHBA, aty ku jetojmë. E kam të vështirë të gjej fjalët e të përshkruaj njeriun ku janë harmonizuar bukur ana profesionale me botën shpirtërore.
Melina është e vetmja që mori fotot e librit vetëm për të gëzuar babain e saj të mrekullueshëm, pasi libri nuk ishte gati në atë kohë. Dhuratë që znj. Roberta na e bëri në ato momente të vështira për familjen tonë.
Ndihem e lumtur për vendimin që morëm atëherë.
Znj. Roberta, të falënderojmë nga zemra e suksese të mëtejshme!

Genc Kastrati
Solist i Ansamblit Kombëtar të Këngëve e Valleve Popullore

 Autorja është munduar të na dedikojë një libër ku secili prej nesh mund të identifikojë veten e tij aty, sepse e tillë është ajo, Roberta Ndokaj. Kështu e kam njohur unë gjithmonë. Që në fillimin e projektit të saj, ajo u mundua t’i përfshijë të gjithë e me një fjalë të thjeshtë, “Let’s Dance” (Le të kërcejmë). I ftoi të gjithë të kërcejnë, pa e vrarë mendjen për glorifikimet e tepërta dhe, ndoshta, pa e kuptuar, Roberta me këtë projekt të sajin u bë faktor për ndryshimin e jetës së shumë njerëzve. Ajo i dha ngjyra ditëve monotone të tyre, i dha shkëndijën dhe terrenin për të kultivuar talentin shumë fëmijëve në gjithë këto vite. Roberta është një mike e rrallë, një kolege, një motër, një dëgjuese, një bashkëbiseduese, gjithnjë mbështetëse, e gatshme dhe plot me ide për të ndriçuar dhe zhvilluar çdo diskutim apo projekt tëndin pa u kursyer, e përfshirë shpirtërisht për të të ndihmuar. Roberta, me pasionin e saj, është aq inspiruese, dhe me bindje të plotë mund të them se janë të shumtë njerëzit që mund t’i thonë: “Faleminderit! Falë jush kam arritur këtu”.

Gjon Pepkolaj
Babai i Anjës

 Është privilegj dhe kënaqësi si prind të them dy fjalë për këtë libër të mrekullueshëm dhe unik në llojin e vet. Unë, prindi i Anjës, kam tre vjet që e sjell vajzën time nga qyteti i Rrëshenit, dy herë në javë, pranë qendrës “Let’s Dance”. Ajo jo vetëm që mëson të kërcejë, por ndihet mirë falë dashurisë që i jepet nga pedagogia e saj e talentuar. Faleminderit, “Let’s Dance”! Faleminderit, zysh Roberta!

 Hygerta Sako
Moderatore dhe prezantuese

 Në morinë e njerëzve që takojmë në jetë, ka dhe nga ata që sa herë i kujtojmë buzëqeshim. Sepse përcjellin pozitivitet, përkushtim e korrektësi. Për mua, një prej këtyre njerëzve është mikesha ime e shtrenjtë dhe e çmuar, Roberta Mone.
E dashur, e talentuar, me profesionalizëm dhe personalitet të spikatur, e kujdesur deri në detaje dhe plot pasion për punën dhe njerëzit. Këto cilësi i kam konstatuar edhe kur kemi bashkëpunuar për Ditën Ndërkombëtare të Kërcimit, një aktivitet që vetëm në saje të përkushtimit të Robertës erdhi edhe në Shqipëri, por edhe kur unë dhe ime bijë frekuentonim kurset në “Let’s Dance”, ku ndiheshim si në shtëpi. Ishin orë të bukura, të këndshme, argëtuese dhe plot jetë… dhe kjo vetëm falë Robertës dhe pasionit të saj të papërshkrueshëm.
Jam e nderuar që me këtë dedikim të shkurtër të jem pjesë e këtij libri, që jam e sigurt që pasqyron në çdo rresht e çdo germë dashurinë e madhe që ajo ka për baletin, të cilin gjithmonë ka ditur t’ua injektojë edhe të tjerëve.
Suksese, e dashur Berta! Ky është fryti i punës së palodhur dhe të pashtershme! Jam e sigurt që nuk do të jetë libri i fundit që do t’na dhurosh!

 Kozeta Bakiu
Profesore e asociuar, pedagoge dhe koreografe në Universitetin e Arteve

Roberta, kolege, shoqe, mikeshë… mami i Megit, studentes sime bukuroshe dhe të ëmbël si rreze drite. E njoh Bertën që të vogël, të qeshur, me ato flokët kaçurrela dhe tepër të edukuar, mbase për kohën më shumë se ç’duhej. E talentuar dhe një ndër më të mirat e klasës së vajzave në shkollën e baletit.
Edhe pse vitet kalojnë, mua me Bertën na takohen rrugët përsëri, por tashmë si kolege: në fillim në shkollën e baletit e më pas në Universitetin e Arteve.
Tani që po shkruaj, sjell në mendje se është një jetë, një jetë mes artit, mes mësimdhënies, mes familjes, por dhe duartrokitjesh e lotësh gëzimi. Kam shumë për të thënë për Bertën, por nuk do të dilnin faqet e librit e do të duhej një natë e gjatë dimri për t’i treguar… Berta është një mama shembullore dhe një bashkëshorte e denjë. Më bëhet qejfi që Megi, vajza e saj, do ta pasojë, do ta çojë më tej rrugën që ajo ka nisur në fushën e koreografisë. I uroj fat e suksese.
Brezat e dalë nga puna e saj janë treguesi më i mirë i një pune të palodhur e të përkushtuar. Përveç mësimdhënies, ajo ka forcën e penës – di të shkruaj bukur dhe kjo tregohet në botimin e librit kushtuar profesorit tonë Skënder Selimi “Dritëhijet e artistit – Skënder Selimi”. Ne kemi qenë përherë mbështetje për njëra-tjetrën në punën tonë dhe mendoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe për shumë vite të tjera.

Ledia Sulaj
Balerina e parë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit

 Kam kënaqësinë të them dy fjalë për pedagogen time jo vetëm në Universitetin e Arteve, por dhe më tej.
Gjatë studimeve të mia në Universitetin e Arteve, profesoreshë Roberta ka qenë një mbështetje e fuqishme në rrugëtimin tim në artin e koreografisë dhe një udhëheqëse e çmuar në temën time të diplomës. Për mua, personalisht, ajo ka qenë dhe është një shembull për t’u ndjekur në punën e palodhshme që bën në qendrën “Let’s Dance” duke edukuar embrionet e së ardhmes në artin e baletit, pa harruar edhe angazhimin konstant në Universitetin e Arteve.
Zysh Roberta është personifikimi i durimit dhe rrezaton vetëm mirësi për të gjithë studentët dhe nxënësit e saj. Ajo është një model për t’u ndjekur nga të gjithë pedagogët e baletit me energjinë e saj të pashtershme.

Manjola Hasani dhe Esdalin Gorani
Balerinë dhe koreografë

Me Roberta Monen jemi njohur qysh herët, në vitet e para të formimit tonë si balerinë në shkollën e baletit “Jordan Misja” e më pas në universitet, në Akademinë e Arteve, si pedagoge. Është për t’u përgëzuar puna që ka bërë edhe pranë qendrës “Let’s Dance”, si një nga iniciatoret e para të shkollave private, ku me përkushtimin e saj të paepur, dëshirën dhe pasionin e saj për kërcimin, ka bërë që njohuritë e marra t’i ndajë jo vetëm me artdashësit e kërcimit, por dhe me gjeneratën e re, që nga viti 2007. Por nuk duhet harruar, gjithashtu, dhe puna e saj pranë Akademisë së Arteve, ku me bujari e pa përtim ka ndihmuar brezat e rinj për t’u formuar e për të dalë në skenat shqiptare.

Manjola Nallbani
Artiste, pedagoge në Universitetin e Arteve

 Për vajzën time, orët e kërcimit në “Let’s Dance” kanë qenë një kënaqësi e vërtetë! Jo vetëm se baleti është një gjini arti shumë e pëlqyer nga fëmijët, por dhe për cilësinë me të cilën zhvillohej ky kurs kërcimi. Roberta përkushtohet e gjitha te fëmijët, duke i bërë ata të ndihen si artistë të vërtetë!
Po këtë përkushtim ajo e tregon edhe me studentët në Universitetin e Arteve, duke ndihmuar me punën dhe talentin e saj breza të tërë!

Mukades Erebara Shaqiri
Titullare, ish-soliste e parë në TKOB

E kam pritur me shumë interes e dashuri rritjen e përvitshme artistike të pedagoges dhe koreografes Roberta Ndokaj, duke vlerësuar punën dhe vullnetin e saj për botimin e librit të parë “Dritëhijet e artistit – Skënder Selimi”. Tashmë ajo vjen para lexuesit me një tjetër libër, i një tjetër karakteri, pra dhe një gëzim tjetër për të. Sado të ndryshëm, në fletët e tij unë e di se është po ajo punë, po ai vullnet, po ajo dashuri për koreografinë, që i prin asaj në punët e bukura që realizon.
Në njohjen time, ajo është një pedagoge dhe artiste që i harmonizon bukur të dyja aspektet, atë të pedagoges-artiste dhe atë të hulumtueses dhe studiueses, falë një pune të palodhur e me profesionalizmin që ajo ka sjellë. Më kujtohet Berta qysh në moshë të vogël, me atë kureshtjen e saj për të mësuar të fshehtat e artit magjik të baletit, me vullnetin për të përvetësuar të fshehtat e këtij arti. Ishte një vajzë e thjeshtë, këmbëngulëse, me këmbë në tokë, nuk lodhej; kërkonte dhe pyeste shumë, kishte interesa për punën, e dashuronte baletin klasik, një pasion ky që e çoi drejt suksesit të merituar.

Ogerta Sulaj
Mamaja e Nikit

Nuk gjej fjalët e duhura për të shprehur mirënjohjen ndaj Robertës, jo vetëm për faktin që çdo detaj i punës së saj ka brenda shumë pasion dhe dëshirë për baletin, por ajo di t’ua transmetojë të gjithë atyre që shkelin qoftë një herë të vetme në ambientet e “Let’s Dance”. Është pasioni dhe dëshira për baletin që i transmetohet çdo fëmije me aq ëmbëlsi dhe dashuri, dhe këtë mund ta japë vetëm Roberta.
Vajza ime Niki është bërë pjesë e baletit prej pak kohësh. Në fillim filloi si një mundësi për kalimin e kohës së lirë, por që më vonë u kthye në një dëshirë të fortë për të ndjekur kursin e baletit, i cili po ndikonte pozitivisht qoftë në anën fizike, por dhe atë shpirtërore. Ky është një art i ri për familjen tonë, por duke parë hapat e Nikit dhe përkujdesjen e Robertës ndaj të gjithë fëmijëve, na bën vetëm të presim që një ditë të kemi në familje një artiste të rritur profesionalisht me aq dashuri prej saj. Është shumë e vështirë që sot të gjesh njerëz të përgjegjshëm që t’ju besosh fëmijët, por Roberta është ndër njerëzit e rrallë që artin e saj e bën me shumë pasion, dashuri dhe çiltërsi!

Ramazan Bogdani
Profesor doktor, “Mjeshtër i Madh”, Etnokoreolog

 Zonjën Roberta e njoh si gjatë viteve studentore në Universitetin e Arteve, edhe gjatë punës shumëvjeçare si koreografe, po ashtu si pedagoge në këtë Universitet. Në të tria këto fusha kam çmuar tek ajo formatin e një intelektualeje të formuar nga ana profesionale e më gjerë. Ka spikatur posaçërisht në realizimin e një cilësie të lartë të mësimdhënies, duke i dhënë përherë një dimension e hapësirë sa më dinamike procesit krijues si dhe përgatitjes artistiko-profesionale të studentëve të saj. Ajo ka shfaqur interes të veçantë në fushën teorike të artit koreografik shqiptar dhe atij botëror. Dua të shtoj se ajo ka shfaqur një pasion në rritje e një ngulm për t’u përgëzuar sa i përket studimeve edhe në disiplinën shkencore të etnokoreologjisë shqiptare (studimi i valles popullore), çka është një aspekt me rëndësi në individualitetin e saj. Në të dyja këto fusha, pra, prirjet e Robertës janë konkretizuar në punime të veçanta, të cilat shquhen për rezultate serioze dhe konkrete. Ka qenë një kënaqësi dhe gëzim i sinqertë për mua që të shoh e të ndjek nga afër rritjen e nivelit të krijimtarisë së saj artistike nëpër vite, rigorozitetin dhe efektivitetin në punë, dashurinë për baletin dhe vallen në përgjithësi, punën e saj të palodhur për përgatitjen e valltarëve të rinj apo për promovimin dhe masivizimin e këtij arti në grupmosha të ndryshme përmes institucionit që ajo e ka themeluar dhe e drejton plot përkushtim: “Let’s Dance”.

Vivian dhe Redi Jupi
Prindërit e Parisit

 Jemi njohur me qendrën “Let’s Dance” që në vitin 2008, gjatë përgatitjes së dasmës sonë. Hapat tonë të vallëzimit nën kujdesin e Robertës u ndoqën më pas  edhe nga vajza jonë Parisi.
Te Roberta dhe ekipi i saj i punës gjetëm në çdo kohë profesionalizëm dhe mirëpritje, të cilat reflektohen në buzëqeshjen e çdo fëmije dhe prindi.

Xhemi Shehu
Prezantuese

Unë kam patur fatin ta njoh Robertën në një nga periudhat më të rëndësishme të jetës sime. U bëra nxënësja e saj për disa ditë me radhë, vetëm pak kohë përpara dasmës sime. Mbaj mend që doja të realizoja një koreografi, por, që të mos ngjante si e tillë, doja të realizohej sa më natyrshëm, të vinte sa më spontane. Sigurisht që ia arrita qëllimit falë profesionalizmit të  Robertës, e cila ma thjeshtoi punën në maksimum. Po përfitoj nga rasti t’i them edhe një herë faleminderit për bashkëpunimin, duke i uruar shumë suksese për çdo sipërmarrje e iniciativë të sajën në të ardhmen.

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Bëhuni i pari që vlerëson “Let’s Dance – Roberta Mone Ndokaj”