Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Rrefenja nga Amerika - Pellumb Kulla

Rrëfenja nga Amerika

Author:

900ALL

Lloji: Tregime Satirike
ISBN:
978-99943-1-692-2
Formati: 14×20
Faqe: 268

Kategoritë , .

Përshkrimi Librit

Një nga përmbledhjet satirike të viteve të fundit, më të mirat, më të arrirat, që nuk mund të rrish pa shpërthyer në të qeshura. Pëllumb Kulla padyshim ka ditur të rikthehet fuqishëm, pranë lexuesve shqiptarë me këtë përmbledhje prej 32 rrëfenjash. Veten e tij në këtë përmbledhje autori e ka vendosur, në rolin e një dëgjuesi të heshtur përballë Peços, një shqiptar nga Korça që punon në Amerikë si shofer taksie e rrëfen me dialektin e pangatërrueshëm korçar aventurat e veta, por edhe të shqiptarëve të tjerë në përpjekjet shpesh komike për t’u përshtatur me jetën përtej oqeanit. Copëza nga jeta e përditshme; në shkollë, në supermarket, në shtëpi, në park, në makinë, i gjejnë shqiptarët e Peços (shoferë, politikanë, nxënës, ish-hetues dhe ish të burgosur politikë), në situata aq qesharake, sa edhe të dhimbsen.

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Nga Libri

Një ditë Fatlumi ynë, pat lojtur fotboll me shokët e shkollës e ish lodhur shumë. Blevi domatet që e pat porositur e ëma dhe pa se kish humbur kartën shkollore, që paraqet në autobus. Pagovi nga kusuri i domateve një dollarë e gjysmë të këthehej në shtëpi.
E ëma kish rrëmbyerë okllahinë që bën petët e unë e gjeta dyke dumballisur të birë.
– Humb kartën dhe më prish, pa ia bërë tërr syri, dy mijë e dyqind e pesë lekë!
Unë, e ëma, me kryqe të këputura, vij që andej më këmbë!
Për t’i marrë okllainë nga dora, xheç ia shkula me gjithë krah. I thashë nuses sime të mirë, se këtu prindërit që rrahën fëmijët, hanë dy vjet burg.
– Më thuaj, sa burg hanë kur i vrasën! Atë më thuaj! Ta dij, para se t’ia marr shpirtin! – çirrej Rezi.
Mezi e qetësuamë. Ra heshtja në shtëpi: Thamë, shpëtuam! Kur ime shoqe dolli pe dhomës së kompjuterit, si pelë që turfullon dhe u sul të kërkonte okllainë të rrihte gjene prapë të birë.
– Tani do ta rrah, se çdo ta rrah! Çupat panë kursn e dollarit: në Shqipëri qenka rritur. Qëparë e rraha për 1 470. Tani do ta rrah për kursn e ri: 1 520
 (Nga rrëfenja “Takim me dy gogolët e parë sa shkel në Amerikë”).

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Ka lindur (ai nënvizon “pa pëlqimin e tij”), më 10 janar 1940, në një fshat të Korçës.
Ka përfunduar studimet në Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu”, në vitin 1964. Duke luajtur një numër të vogël rolesh, e sidomos duke hequr fare dorë nga loja në skenë, ai mendon se e ka ndihmuar mjaft ngritjen e cilësisë së aktrimit në vend.
Është aktivizuar gjerësisht në fushën e regjisurës në teatër, estradë dhe TV, dhe është vlerësuar më shumë atje. Në shenjë mirënjohjeje për këtë vlerësim, është vënë të shkruajë drama e komedi (njëaktëshe dhe shumëaktëshe), skeçe, dialogë, monologë, skenarë të të gjitha gjatësive etj. Ka shkruar jo pak edhe për skenën e politikës të tranzicionit shqiptar.
Mes shkrimeve të tij janë edhe këto nota biografike që po lexoni. Është autor i katërmbëdhjetë vëllimeve që kanë kaluar në shtyp e nëpër librari. Por, flitet se pjesën më të madhe të kopjeve e ka blerë ai vetë, për t’ua dhuruar atyre që i thonë fjalë të mira për cilësinë e letërsisë që bën.
Jeton mes Nju Jorkut dhe Tiranës, dhe përsërit me krenari, se nëpër kornizat e kontrollit magnetik në aeroportet ku kalohet me këpucë të hequra, kur kalon ai, aparaturat nuk fishkëllejnë kurrë. I di që të gjitha fjalët e himnit kombëtar. Megjithatë, është qortuar për mangësi të ndjenjave patriotike dhe i kanë gjetur të ketë thënë diku, se hajdutët e vendeve të tjerë, që vjedhin nëpër vendet e tyre, i do më shumë se hajdutët tanë, që vjedhin në Shqipëri.
Ka vesh të mirë muzike, por jo shije në të veshur. Për atë gotën e famshme të mbushur përgjysmë, që i ndan natyrat njerëzore më dysh, nuk është me ata që e shohin gotën nga gjysma e zbrazët.
Për më shumë hollësira, klikoni në secilin nga shkrimet e tij: romane, drama, komedi, novela, tregime, apo artikuj. “Në të gjithë personazhet negative, atje, jam unë”, thotë ai, duke shpresuar (më kot!) që ta kundërshtojnë.

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Bëhuni i pari që vlerëson “Rrëfenja nga Amerika”