Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Ilir Shaqiri - Tan Temali

Tan Temali

Author:

100ALL

Gjinia: Roman
Faqe: 336
Formati: 13 x 20 cm
ISBN: 978-99943-1-990-9

Kategoritë , .

Përshkrimi Librit

Romani i Ilir Shaqirit “Tan Temali”  është një roman për ngjarje historike dhe kulturore që e kanë shënuar jetën e brezit tonë: jetën e brezit që e krijoi lëvizjen kombëtare e cila, më në fund, solli atë që aq gjatë është ëndërruar prej të gjithë brezave shqiptarë: solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ky është roman, prandaj, në të cilën do të gjejmë jo vetëm kulturë krijuese dhe mbamendje (erudicion) jashtëzakonshëm të pasur, por edhe imagjinatë të papritur, që tregohet përmes krijimit të ndjenjave, mendimeve, përjetimeve, shprehjeve, shfaqjeve të shumëllojshme të botës së protagonistit dhe të personazheve. Lexuesin e tij, doemos, do ta përvetësojnë pasuria e përjetimeve dhe e paraqitjeve të ndryshme kundërshtimore të tyre: butësia dhe ashpërsia, gatishmëria e vetëflijimit dhe egoizmi, heshtja dhe gojëtaria, vetëpërmbajtja dhe shpërthimi, mençuria dhe naiviteti, zotimi dhe paanësia, mashtrimi dhe sinqeriteti, mendjelartësia dhe mendjeultësia e të tjera përjetime e paraqitje, që i bëjnë protagonistin dhe personazhet fort të veçuara psiqikisht dhe mendërisht. Aty do të gjejmë kështu njëmendësinë e zëshmuar të kohës në të cilën e kemi kaluar rininë tonë, në të cilën ishin bërë përditësi tronditëse mërgimi trupor, por jo edhe shpirtëror i bashkëkombësve dhe bashkëkohësve tonë.

Po e lexuam këtë roman të Ilir Shaqirit, prandaj, domethënë se kemi lexuar një roman të pasur me ndjenja, me mendime e me mbamendje (erudicion); një roman të ngjeshur fort kompozicionalisht; një roman të rrëfyer me imagjinatë dhe racionalizëm njëkohësisht; një roman me figurshmëri të shumëkuptimshme; një roman në të cilën zotërojnë mençuria e figurshme popullore dhe ironia e intelektualit; një roman të shkruar me gjuhë të pasur letrare; një roman në të cilin rilindin shumë fjalë të harruara dhe përdoren bukur mjaft dialektizma; një roman që, duke e dëshmuar fuqinë krijuese të popullit, njëkohësisht e dëshmon dhuntinë krijuese të autorit të tij – të Ilir Shaqirit.

Lexues të çmuar, lexojeni romanin e Ilir Shaqirit! Do të bindeni se ai nuk është artist vetëm i kompozimeve muzikore dhe i këngës popullore, por edhe artist i vërtetë i fjalës së bukur letrare, domethënë artist i letërsisë, me dhunti të dhuruar prej natyrës e të rritur me përkushtimin lexues të intelektualit të vërtetë krijues.

Duke i dëgjuar, a duke i parë, a duke i lexuar veprat e krijuesve të tillë ne pasurohemi shpirtërisht. E pasuria shpirtërore është pasuria më e madhe e më etike njerëzore.

 

Rexhep Qosja

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Ilir Shaqiri lindi më 6.12.1960, në Burojë të Drenicës.

Ka kryer studimet e larta në degën gjuhë dhe letërsi shqipe. Është magjistruar në degën e letërsisë me temën “Estetika dhe semiotika në krijimtarinë artistike të nënës”.

Ka krijuar 619 këngë në muzikën tonë të lehtë, popullore dhe për fëmijë.

Ka krijuar muzikë në 16 filma dokumentarë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ka krijuar muzikën për shfaqjet: “Zeka i Zi” dhe “Fizikanët”.

Ka interpretuar mijëra këngë shqipe, nëpër mijëra koncerte (shumica prej tyre humanitare), nëpër shumë vende të botës.

Në vitet 1998-1999 ka mbajtur 109 koncerte nëpër Europë në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ka interpretuar në filmin artistik “Vite të rëndësishme”.

Ka botuar 33 albume muzikore dhe 4 video-albume.

Ka botuar studimin “Estetika dhe semiotika në krijimtarinë artistike të nënës” (2014).

Është vlerësuar brenda dhe jashtë vendit me çmimet e jurisë dhe të publikut, si: “Fest-Arb” në Shkup (1992); “Kënga shqiptare” në Prishtinë (1995); Festivali Ndërkombëtar “Special award folkmoout USA” në Karolinën e Veriut (1994); “Këngëtari emblematik i Ballkanit” në Bruksel (2000).
Është nderuar me “Mirënjohje” nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (1999), “Nderi i Odës Dibrane” në Peshkopi (2006) dhe Urdhri “Naim Frashëri i Artë”, nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë (2011).

Veprimtaria e tij është përmbledhur në monografinë “Heroizëm dhe dashuri” (2012).
Aktualisht është përgjegjës i Etikës dhe Estetikës Programore në RTK.

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Fragment nga libri


Njeriun e udhëheq vetëdija.

Psikika është shpirti, i cili shfaqet me fuqinë e tokës, bashkë me dritën gazplotë të secilit, që na bën të guxojmë në udhët e udhëkryqet e jetës.

Thonë se njeriu udhëhiqet nga dualizmi tragjik i shpirtit, herë lart e herë poshtë, herë i plotësuar e herë i munguar, por gjithmonë në përpjekje, për të gjetur zgjidhjen e harmonishme në aktivitetin e gjallë të tij.

Kush beson në vërtetësinë e dijeve që nuk janë provuar, nuk dëshiron të humbasë nëpër vogëlsitë e jetës së zakontë. Zakoni është gjest mekanik, përderisa drithërimat e qelizave të gjalla komunikojnë pandalshëm me gjithçka që shohim e ndiejmë edhe përtej lëmshit tonë tokësor.

Përfundimi i gjallimit mbi sipërfaqen e tokës mund të ndodhë vetëm atëherë kur të shkëputet tingulli, apo rrënja e komunikimit në mes nesh dhe bukurisë qiellore!

Më i pasuri burim i bukurisë derdhet në sytë e njeriut nga ndjenjat dhe fuqitë e shpirtit veprues. Shpirti soditës rri te njerëzit që u ngjajnë zvarranikëve dhe nuk është i aftë t’i përballojë pasionet, nuk është i aftë për t’i zbuluar kundërthëniet e jetës, por mbetet në cektësinë dhe optimizmin e rremë.

Themeli dhe rrënja e vërtetë e jetës janë ligjet e plotfuqishme të natyrës dhe shpirti veprues mbi to.

Pra, asgjë nuk mbin pa u mbjellë.


– Dashuria është pushtet hyjnor që urdhërohet nga i plotshndritshmi, – ma ktheu.

– Ndoshta profetët e deformojnë edhe dashurinë, – i thashë.

– Të padijshmit, injorantët edhe e mohojnë atë. Të lumturit lumturohen ngjashëm, ndërsa të diturit janë fatkëqij të shumëngjyrshëm.

Njerëzit përpiqen të na e tregojnë përrallën se si u krijua universi, se si ndodhi Big-Bengu. Harrojnë të thonë se bota u lind nga dashuria, universi jeton nga dashuria, gjithçka gjallon nga dashuria. Çdo objekt në hapësirë merr dhe jep nga njëri-tjetri, merr dhe jep me ndjesinë e dashurisë, dashurisë madhështore. Jeta është sikur moti, me të kthjelltat e të vrantat e saj.

– Sa shumë marrim ne nga të tjerët larg nesh. Po ne, çfarë japim? – e pyeta.

– Përveç dashurisë asgjë më shumë edhe atë nuk e japim të plotë, – m’u përgjigj.

– Në lëmshin tokësor ka shumë krijesa të mbushura me urrejtje për gjithçka. Ata kënaqen me gjëmën e tjetrit, ndërsa gjëmën e vet e kanë harruar që motit. Njëqindmijë profetët e të plotshndritshmit, do të ishte mirë që t’ua tregojnë njerëzve ëndrrën më kuptueshëm, t’ua tregojnë udhët dhe udhëkryqet e jetës, arritjet e plota të cilat duhet t’i mbushim me më shumë dashuri e jo me ligësi.

– Çdo njeri me mish e kockë, si i thonë fjalës, para gjumit, para ëndrrës, vë nën kokë një gur ose një jastëk me pupla. Ëndrra është e njëjtë, si koka mbi gurë sikur mbi jastëk me pupla, por kuptimi i ëndrrës është i ndryshëm.

– Dashuria mëson prej zemrës, prej shpirtit, vetëm të paditurit përdorin thashethemin për justifikim. Ata që e kanë bërë lëmsh dashurinë mbi lëmshin tokësor, gjithmonë janë të mbuluar me mister. Ata zgërdhihen me jetët tona kockë e lëkurë, pështyjnë ndjenjat tona…

Shpërndaje në rrjetet sociale: