Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Të vërtetat e fshehura Incidenti i kanalit të Korfuzit – Paskal Milo

Author:

1,500ALL

Histori
Faqe: 412
Formati: 15×23 cm
ISBN: 978-99943-1-662-5

Përshkrimi Librit

Kanali i Korfuzit zbulon trashëgiminë 40 vjeçare të një incidenti të rëndë, të krijuar, nga fajet përkatëse të të dy palëve, që tragjikisht mori jetë njerëzish, që direkt “ndihmoi” për të çimentuar në vijim pozitat refraktare dhe kalimin përfundimisht të Shqipërisë nën “sqetullën” staliniane. Libri ofron dokumentacion shterues, sigurisht edhe me “ndihmën e hapjes së arkivave britanike në vitin 2000”, për një proces gjyqësor të cilit i kishte munguar “drita e plotë e diellit” për publikun. Milo nxjerr në dritë me hollësi nënkorrentet politike, marrëveshjet dhe ujditë sekrete që i dhanë formë, destabilizuan dhe në fund prishën marrëdhëniet dypalëshe dhe, më keq akoma, i mbajtën të tilla për 40 vjet.
Në bashkëpunim me jugosllavët dhe përmes dy anijeve ushtarake të Marinës Ushtarake Jugosllave, u vendosën minat në bregdetin shqiptar, dhe Shqipëria dinte me saktësi edhe sesa mina ishin vendosur.
Edhe katër anijet britanike nuk ishin krejtësisht “të pastra”. Ato “kishin destinacion një ishull grek, 100 milje në jug të Korfuzit, por u urdhëruan të nisen nga Porti i Korfuzit përmes rrugës veriore”, përmes Kanalit të Korfuzit, për të parë “nëse qeveria shqiptare ka mësuar sesi të sillet”. Ato hynë në ujërat tona ku ndeshën në mina, me pasoja tragjike për 44 marinarët që humbën jetën, por dhe për dëmet e tjera materiale, përfshirë prestigjin ndërkombëtar që nuk mund të mos konsiderohej i palënduar!

Ka lindur në Palasë, Himarë, më 22 shkurt 1949. Është diplomuar për Histori dhe Gjeografi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer studime pasuniversitare në Suedi. Ka gradën shkencore “Doktor” në histori dhe titullin “Profesor”.
Ka kryer detyra shtetërore: sekretar shteti për arsimin (1991); ministër i Punëve të Jashtme (1997-2001); ministër për Integrimin Evropian (2001-2002). Është deputet në disa legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 1992 dhe ka kryer funksionet e kryetarit të Komisionit të Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Shëndetësisë (1992-1996) dhe të sekretarit të Komisionit të Politikës së Jashtme e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (2003-2005).
Ka ushtruar detyra profesionale e shkencore: përgjegjës i Katedrës së Historisë Botërore (1988-1995); dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë (1991-1992); anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë (1988-2002); anëtar i Këshillit Shkencor të Universitetit të Tiranës (1991-1992); anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1985-1991); anëtar i Bordit të Drejtorëve të “Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë” (Fondacioni Soros), Tiranë (1993-1997); anëtar i Komisionit të Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Milano, Itali (1991-2001); anëtar i Këshillit Argjentinas të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (2000); anëtar korrespondent i “Shoqatës Kiliane të Historisë e Gjeografisë” (2000).
Është ligjërues në Universitetin e Tiranës dhe në universitete të tjera jopublike në Tiranë e Prishtinë. Ka ligjëruar në universitete të ndryshme në SHBA, Kanada, Suedi, Itali, Spanjë, Greqi etj. Ka referuar në institute e këshille për politikë të jashtme e marrëdhënie ndërkombëtare, si në SHBA, Kanada, Argjentinë, Kili, Britani e Madhe, Suedi, Norvegji, Danimarkë etj. Ka kryer kërkime shkencore në arkivat historikë të: Departamentit të Shtetit në SHBA (1996 dhe 1997), Forin Ofisit në Londër (1994), Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë (1994), K’e d’Orsej-Paris (1997), si dhe në Greqi, Egjipt etj.
Pas vitit 1990 ka një veprimtari aktive shoqërore e politike. Ka qenë kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Asamblesë së Qytetarëve të Helsinkit (1993-1997), anëtar në disa borde e komisione rajonale për paqe e mirëkuptim ballkanik. Është kryetar i Partisë Demokracia Sociale e Shqipërisë. Është dekoruar me urdhra, medalje e çmime të ndryshme brenda e jashtë vendit.
Është autor i disa librave politikë dhe historikë, i monografive, i botimeve shkollore dhe universitare, i shumë artikujve shkencorë të botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Është pjesëmarrës me referate e kumtesa në kongrese, konferenca, simpoziume e seminare kombëtare e ndërkombëtare.

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Bëhuni i pari që vlerëson “Të vërtetat e fshehura Incidenti i kanalit të Korfuzit – Paskal Milo”