Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

Nikos Kazantzaki - Duke udhetuar neper...

Udhëtim nëpër Itali, Egjipt, Sinai, Jerusalem, Qipro, More

1,100ALL

Përktheu: Maklena Nika
Lloji: Roman
Faqe: 336
Formati: 14 x 20 cm
ISBN: 978-99943-1-964-0

Kategoritë , .

Përshkrimi Librit

Të udhëtosh me Kazantzaki-n është një eksperiencë e papërsëritshme dhe e rrallë për këdo…

Seria e veprave “Udhëtime”, që Nikos Kazantzaki na ka lënë si thesar në dorë, janë një nga pjesët më të bukura të gjithë krijimtarisë së tij letrare. Është fakt i njohur se shpirti i tij nuk mund të gjente qetësi në vatrën e tij, Greqinë. Ai duhej të shikonte më shumë për ta vënë veten përpara një prove shumë të madhe – Shpirti i tij duhet të përballej me të gjitha shpirtrat e botës, dhe me gjasa, ashtu siç shprehen surrealistët, të gjente korrespondenca… Ai i gjeti këto korrespondenca, jo të gatshme, por duke i gërmuar ato në tokat që shkeli, duke përpirë sytë që pa, duke prekur gurët ku shkeli, duke ndier aromat që e dehën dhe njëkohësisht e ndërgjegjësuan më tepër për shumëllojshmërinë e botës ku jetojmë. Ai nuk do të ishte një shkrimtar i madh e i padiskutueshëm nëse dora e tij nuk do të shkruante e ndikuar nga vendet ku shkoi. Mendja njerëzore, sado e mprehtë dhe e formuar qoftë, ka nevojë të zgjerojë horizontet e saj. Përplasja me realitete të ndryshme, me kultura e qytetërime të ndryshme, me histori e zhvillime të ndryshme, e ndihmon mendjen të çikë horizonte të reja ngacmuese… Këtë Kazantzaki e dinte mirë, se besimi i tij nuk do të konsolidohej nëse ai nuk do të nisej për udhë…

Ne, njerëzit e thjeshtë, nuk jemi si ai, në këndvështrimin praktik, të sakrifikojmë jetën tonë, përditshmërinë tonë, për të kuptuar sadopak veten. Sepse udhëtimet e shkrimtarit grek nuk kishin qëllim tjetër përveç se Kazantzaki të vihej përballë Kazantzaki-t, por jo në tokën helene, por tekdo… Dhe Kazantzaki të kuptonte përfundimisht se nuk besonte në asgjë, nuk kishte frikë nga asgjë dhe ishte i lirë

Po ne, çfarë do të kuptojmë duke lexuar udhëtarin Kazantzaki? Në gjuhën shqipe e kemi lexuar dhe bashkë me të jemi gjendur në njëfarë mënyre në Kinë dhe Japoni, në Malin e Shenjtë. Tani, ndodhemi në Itali, Egjipt, Jerusalem, Sinai, More… Udhëtimi është i gjatë, i vështirë, kërkon përqendrim dhe durim. Por në fund të fundit, ia vlen.

Cili do të jetë përfundimi ynë? Do të ndihemi të lirë, duke mohuar frikën dhe shpresën, apo do të ndihemi të lirë duke i pranuar ato, por me kushtin e vetëm që rruga jonë drejt Itakës të jetë e realizueshme deri në fund?

Shpërndaje në rrjetet sociale:

 Fragment nga libri

Mes kësaj ere të lashtë skllavërie, m’u duk se ky dialog i vogël ndriçoi gjithë historinë e Egjiptit; si koment hieroglifik, prej fajkonjsh, lepujsh dhe duarsh të prera, i ravijëzuar mbi piramidë.

Eci mes rërës, dielli më shpon në kafkë, e gjithë shkretëtira deri tutje nxjerr avull, ndriçon ajri dhe përpëlitet mbi rërë. Mesditë. Është ora panikuese kur del nga piramida e madhe vajza e bukur e Keopsit dhe trondit ende imagjinatën e fellahëve dhe thërret burrat. I ati, për të ndërtuar piramidën e madhe, shpenzoi gjithë pasuritë e Egjiptit dhe kur nuk kishte më asgjë, u shiti të huajve të bijën. Por nga çdo burrë merrte dhuratë dhe nga një gur, dhe nga këta gurë ndërtoi edhe ajo një piramidë të sajën të vogël! Por piramida e saj duket gjithnjë më e vogël dhe kërkon ende gurë…

Qejfi, skllavëria, dhuna që kaq harmonikisht mbijnë në këtë tokë të lagësht, të ngrohtë, gjithë pjellori, të rrethuar nga shkretëtira e frikshme!

Vdekja ndjehet ngado – nëse shohin përtej gjetheve të gjelbra, do të shohin shkretëtirën; nëse për një çast do të ndalen për të punuar të gjithë së bashku me disiplinë, lumi do t’i mbysë; nëse do të kundërshtojnë pronarët, humbën.

 

Shpërndaje në rrjetet sociale:

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Bëhuni i pari që vlerëson “Udhëtim nëpër Itali, Egjipt, Sinai, Jerusalem, Qipro, More”