Shtëpia Botuese Toena

Të dhënat e Librit

princi

Zija Çela – PRINCI I BUZËQESHJES

Author:

600ALL

Autori:ZIJA ÇELA
Titulli: PRINCI I BUZËQESHJES
Lloji: Tregime
Faqe: 288
Formati: 13 x 20

 

Kategoritë , .

….Kur salla u errësua dhe nisi projektimi në ekran, flokët bjond të Stelës morën në kundërdritë atë breroren që kanë yjet në netët e vjeshtës. Nuk di si dreqin ndodhi, por më zuri njëfarë frike e befasishme. Filmi fliste për jashtëtokësorët dhe, ndonëse e kisha fare pranë, më dukej sikur nga çasti në çast Stela do të degdisej diku larg. Dhe ishte vetë ajo që, me atë prarimin yjor, po i provokonte alienët. Madje, pas pak, m’u bë se dëgjova edhe pëshpërimën e saj. “Më rrëmbeni, më rrëmbeni, dua të vij me ju atje lart!” Ç’tërheqje ndjellëse ishte, ç’mister e shtynte të na braktiste ne për një botë tjetër, të panjohur e të pakufishme?! S’i vinte gjynah për globthin tonë?!.. Kjo thirrje, afërmendsh, s’mund të ishte e vërtetë. Por mua ashtu më gjasmonte.
Kur u kthye babai nga instituti, më gjeti në tryezë me fletoret e detyrave. Atëherë m’u kujtua pastrimi dhe ngrita duart për ndjesë. Ndoshta atij s’i erdhi mirë, se ca thërrime i kërcitën nën këpucë. Por gjithsesi u pajtua, duke ma shtyrë afatin për të nesërmen. Patjetër, thashë, do t’i hyjë mbarë shtëpisë me fshesë e me leckë.
Të nesërmen nuk mund t’ia fshihja Stelës. I fola për breroren e flokëve, joshjen ndaj alienëve dhe atë frikën time të çuditshme se mos ajo degdisej larg. Por aq larg, sa pastaj s’më mbetej tjetër, veçse ta shihja si një yll mes yjeve.
“Të shkon mendja se çfarë paske ndier?”, pyeti ajo.
“E çfarë?”, përfitova për ta sqaruar sa më shpejt vetveten.
“Në atë çast ke përjetuar mungesën time. Dhe tronditja tregon se çfarë jam unë për ty, domethënë, sa miq të ngushtë jemi.”
Ç’të thoshte më tepër, ishte një shpjegim që ta hiqte trurin.
Në atë gjendje turbullimi shkova në shtëpi. Si hëngra drekë me nënën dhe hoqa qafe detyrat me shkrim, dëgjova muzikë në dhomën time. Me ca çuna të klasës e kishim lënë të takoheshim prapa godinës së bibliotekës, ku bënim numra me skejt-bord në parmakët e shkallëve. Por vendosa të mos shkoja, nuk më dilte koha edhe për pastrimin, edhe për mësimet e reja në tri lëndë. Siç isha shtrirë i veshur mbi rrobat e krevatit, dalëngadalë m’u rikthye ai përfytyrimi i djeshëm për yllin midis yjeve. “Po Stela çfarë qielli sheh?”, pyeta veten. “Jam unë diku atje? Dhe kryesorja, e ndien ajo mungesën time?” Bashkë me këto më vinin edhe pyetje të tjera, por i gëlltisja pa i lënë të ngjizeshin mirë.
E kisha tretur vështrimin nëpër dhomë, kur m’u ndalën sytë sipër raftit, ku babai kishte lënë një valixhe si të braktisur. E dija çfarë mbante, disa harta, dy-tri busulla dhe një Fjalor astronomie. Në vitet më të vështira, kur punonte në minierë dhe hynte në galeri, inxhinierit të nëntokës i qe zgjuar pasioni për qiellin. Habisë sime nëna i përgjigjej “Errësira e kërkon dritën dhe drita errësirën ngaqë janë binjake.”
Në atë valixhe zgjodha një hartë dhe e vara në mur. Ishte hartë kozmike, plot e përplot galaktika të mëdha e të vogla, që unë as i njihja dhe as i ndaja dot. Në një sfond blu mbizotëronin pikëlime të verdha e portokalli, ca shtjella të bardhëlleme dhe prapë ngjyrime të kuqe, të blerta e vjollcë. Dhe ishte vetëm një fragment qiellor, ndoshta pamje me teleskop special, ndoshta fotografim nga anijet hapësinore. Shkallën e zvogëlimit harta as që e shënonte ndopak, pasi me gjasë ishte e pamundur të shprehej. Vazhdimin e kozmosit, me pafundësinë nga të katër anët, mbetej vetëm ta merrje me mend.
E ku do të ishte Stela atje, nëse këtu do të mungonte vërtet? Kjo mëdyshje, përveç kureshetjes, ma nxiti edhe zellin për ndonjë provë.
Mora një letër të ngjyrosur (kuptohet ç’ngjyrë kishte) dhe preva një shenjë me pesë cepa. Pasi shkrova aty emrin e Stelës, po vëzhgoja hartën për ta ngjitur diku. Unë s’mund ta vendosja atje lart, në largësitë e paarritshme, sepse nuk doja që ajo të merrte arratinë. Prandaj më duhej të hamendësoja ndonjë kordinatë fqinjësie me ne. Po sa i saktë do të isha? U mata sa u mata dhe, më në fund, e ngjita shenjën diku poshtë. Pastaj nisa ta kundroja herë nga një krah, herë nga tjetri.
Babai më gjeti duke e kundruar ballë për ballë. Ia dëgjova hapat në korridor, madje edhe atë kërcitjen e pluhurit. Ndryshe nga dje, po kthehej ca më herët. Mendova se ose do t’i hynte pastrimit vetë, ose bashkë me mua. M’u duk e padenjë të shtiresha, të mblidhja hartën tub, të mbyllja valixhen dhe të merrja në dorë ndonjë tekst shkollor. Ai bisedoi me nënën një grimë herë, pastaj erdhi tek unë. E pashë si iu ngritën vetullat prej befasisë dhe si i shkrepi përbrenda xixa e pasionit të vjetër. Mbasi përfshiu me sy tërë hartën, tregoi me gisht pesëkëndorin, duke lexuar edhe fjalën që kisha shkruar aty.
“Për këtë yllin tënd paske parapëlqyer italishten”, tha. “Veçse shkruhet me dy ll, Stella.”
“Sidoqoftë, shqiptohet Stela”, u mbrojta unë.
“Po, mor bir, njësoj si bella.” Dhe menjëherë përsëriti “Stella, star, étoile… Jam kureshtar të di si i thonë yllit në mongolisht. Njerëzimi i sotëm flet shtatë mijë gjuhë.”
“Dhe shtatë mijë herë kuptimi mbetet i njëjtë Stela”, më buftoi prej qejfit mua.
Megjithatë nuk doja të hallakatesha më tej, por të sigurohesha për çfarë më interesonte më shumë. Pakëz i ndrojtur (Mos qoftë e thënë të jem gabuar rëndë, i uroja vetes.), pyeta astrologun amator
“Po planeti ynë ku mund të ndodhet në këtë kaos?”
“Kozmosi nuk është kaos, por harmoni e përkryer. Ndërsa Toka… Hm!”, u frenua babai.
Nga pamja m’u duk se edhe ai nuk e kishte të lehtë ta përcaktonte vendndodhjen e Tokës. Madje më paralajmëroi se do të ishte vetëm e përafërt. Kështu, duke u nisur nga lart, ai nisi të bënte ca matje në tri nivele, të cilat i cilësoi adresa, derisa u ndal diku poshtë.
“Më sill një kokërr bizele”, tha. “Jo, jo, bizelja është e madhe, më sill një kokërr oriz”, më prapësoi. Dhe sërish më ndali në çast “Jo, jo, edhe kokrra e orizit është e madhe.”
Si ta kishte pikasur vetë atë që i duhej, u përkul dhe mori një thërrime rëre. Sa për zamkën, e kishte pranë atë që kisha përdorur unë.
“E pra”, foli duke e ngjitur thërrimen në hartë, “ky është planeti ynë, oazi ku shkelim përditë.” Pastaj, duke tërhequr nga pandofla shputën e djathtë dhe duke e ngritur këmbën, si të ishte i gatshëm për ta hedhur hapin, m’u drejtua “Ta shtrij hartën në dysheme? Të shkel unë, apo do të shkelësh ti i pari?”
Aty ku e përcaktoi babai, Toka ishte aq pranë me Stelën, sa dukej sikur mjaft të shtrija dorën dhe e arrija. Por fjalët e tij të fundit sikur më futën drithmat. Vërtet më kishte ndihur fati për afërsinë, por në atë pozicion ishte e pamundur të shkelje njërën, pa shkelur edhe tjetrën…

Vlerësime

Nuk ka asnjë vlerësim për këtë libër

Bëhuni i pari që vlerëson “Zija Çela – PRINCI I BUZËQESHJES”